Pozita e mësimit fetar në sistemin shkollor austriak (1)

 

Mr. Muhidin Ahmeti

Hyrje

Gati në të gjitha vendet evropiane mësimi fetar është pjesë përbërëse e programeve mësimore në shkollat tetëvjeçare dhe të mesme shtetërore. Praktikisht, nuk ka dallim në këtë aspekt midis ish vendeve komuniste dhe pjesës tjetër të Evropës. Përjashtim në Perëndim është Franca, në të cilën nuk ka mësim fetar në shkollat shtetërore, por e cila ka një numër të madh të shkollave katolike shumë të suksesshme.

Një karakteristikë e veçantë në Austri me siguri paraqet edhe mësimi fetar islam i rregullt që u ofrohet të gjithë nxënësve dhe nxënëseve muslimanë dhe që është nën mbikëqyrjen e Bashkësisë fetare islame. Mësimi fetar islam në Austri filloi të aplikohet në vitin shkollor 1982/83. Që në fillim, kjo ishte një sfidë dhe një detyrë e vështirë si për Qeverinë ashtu edhe për Bashkësinë islame për shkak të numrit të madh të nxënësve pjesëmarrës në mësimin islam dhe për shkak të mungesës së kuadrit të përgatitur dhe të kualifikuar fetar. Për këtë arsye, filluan përpjekjet për krijimin e institucioneve të caktuara për përgatitjen e kuadrit profesional dhe pedagogjik si dhe për trajnimin e mëtutjeshëm të mësimdhënësve për mësimin fetar në shkollat e mesme. Për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm në dymbëdhjetë vite e fundit u krijuan tre institucione, të cilat paraqesin një hap të konsiderueshëm përpara në drejtim të sigurimit të cilësisë dhe përmirësimit të mësimdhënies fetare islame. Fillimisht, në vitin 1998 u themelua “Akademia pedagogjike fetare islame (IRPA).” Më 2003 hapet “Instituti islam religjioz –pedagogjik” dhe më 2006/07 “Instituti i shkencave të edukimit – dega për studimin e shkencave fetare islame” pranë Universiteti të Vjenës.

Arsimi fetar, në të cilin rreth 40.000 nxënës pjesëmarrës në mbarë vendin ka qenë një instrument i rëndësishëm i integrimit. Jo vetëm se kjo është një shenjë e rëndësishme e njohjes dhe barazisë me komunitetet e tjera të njohura fetare, por, ka bërë që edhe të rinjtë, t’i bashkëngjiten edukimit fetar me një debat të brendshëm në lidhje me identitetin e tyre. Mësimi i zhvilluar, me ndërgjegje të plotë, ekskluzivisht në gjuhën gjermane, duhet të nxit vetëdijen që është në përputhje me ndjenjën e të qenit njëkohësisht musliman dhe pjesë e Austrisë, Evropës. Ky është po ashtu edhe një reflektim për të mbështetur dallimin në mes religjionit dhe traditës, në mes fesë dhe origjinës kombëtare. Përveç kësaj, aty zhvillohet një diskutim aktiv në të gjitha ato pika ku pikëpamjet e kufizuara tradicionale mund të bien ndesh me fenë -në mënyrë të veçantë çështja e gruas është shumë e ndjeshme. Së fundi, për shkak të numrit të madh të mësuesve muslimanë, të cilët mund të participojnë aty si kolegë dhe kolege, shkollat janë gjithmonë forma më e mirë për t’u afruar me njëri tjetrin – duke filluar nga festimet e përbashkëta, ndërmjetësimi në rastet kur kërkohet Kompetenca ndërkulturore – deri te forcimi i mirëkuptimit dhe akceptimit të ndërsjellë.

 

Aspektet ligjore të arsimit fetar – sidomos atij islamik – në Austri

Austria është një republikë laike, që do të thotë se feja është e ndarë nga shteti. Megjithatë, ky status neutral nuk e ka penguar fare shtetin e Austrisë që të sjell ligje të njëpasnjëshme për të rregulluar marrëdhëniet më fenë dhe bashkësitë fetare duke u ofruar atyre edhe arsimin fetar në shkollat publike.

Mësimi fetar në shkollat e Austrisë ka një traditë të gjatë. Që nga viti shkollor 1982/83 lënda e mësim-besimit mësohet në shkollat publike austriake. Kjo është një veçanti brenda Evropës që qëndron lidhur ngushtë me njohjen e Islamit si fe që nga themelimi i republikës së Austrisë në vitin 1912. Kjo sjellje shembullore ka rezultuar efekte pozitive në integrimin e myslimanëve në jetën shoqërore austriake. Mësimi zhvillohet në gjuhën gjermane.

Gjatë regjimit nazist ishte hequr plotësisht. Në vitin 1945 mësimi fetar u kthye përsëri në shkollat shtetërore të Austrisë. Pas përfundimit të luftës së dytë botërore më 8. 5. 1945 në sistemin arsimor austriak u bënë ndryshme thelbësore. Pozicioni aktual i arsimit fetar është i bazuar në Rregullimet e reja që ndodhen pas luftës së dytë botërore.

“Ligji për mësimin fetar i vitit 1949″ përcakton statusin ligjor të arsimit fetar në shkollat austriake. Pika qendrore e referencës për këtë legjislacion është ligji organik i vitit 1867.

Në veçanti, nenet e mëposhtme të Ligjit Bazë janë të rëndësishme për edukimin fetar në shkollat publike:

Neni 15 i Ligjit Bazë thotë:

“Çdo Kishë dhe bashkësi fetare e njohur me ligj ka të drejtën e ushtrimit kolektiv dhe publik të fesë, rregullon dhe administron në mënyrë të pavarur çështjet e saja të brendshme, gëzon të drejtën e pasjes së institucioneve kulturoro-arsimore dhe shoqatave e fondacioneve të caktuara bamirëse, por si çdo shoqëri u nënshtrohet ligjeve të përgjithshme.

Neni 17, 4 i Ligjit Bazë thotë:

“Mësimi fetar në shkolla mbikëqyret nga Kisha ose komuniteti fetar përkatës.”

Ekzistenca e Kushtetutës austriake në lidhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, do të sigurojë për qytetarët e Republikës të drejtën “e edukimit dhe arsimimit në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike (botëkuptimore).”

Shteti, në bazë të marrëveshjes (Konkorada) me Vatikanin nga viti 1993 dhe me barazinë e garantuar me Kushtetutë, nuk guxon të ndërhyjë në resorin e mësimit të fesë. Caktimi i personelit mësimor dhe arsimimi i tyre, pastaj hartimi i planeve janë detyra të bashkësive fetare, të cilat marrin ndihmë nga shteti.

 

Pjesëmarrja e obligueshme

Në Austri zhvillimi i mësimit fetar u është mundësuar të gjitha bashkësive të njohura fetare me kusht që të kenë një numër të caktuar të nxënësve. Islami është njëra nga ato bashkësi dhe mësimi fetar islam me vite zhvillohet në shkollat austriake.

Të dhënat më të reja për vitin shkollor 2010/2011 tregojnë se rreth 57.000 nxënës muslimanë e ndjekin mësimin-besimin islam në Austri. Të punësuar janë rreth 430 mësimdhënës në përafërsisht 2800 shkolla.

Mësimi fetar në shkollat e Austrisë është lëndë obligative. Realizohet me nga dy orë në javë gjatë tërë shkollimit. Në arsimin tetëvjeçar të detyrueshëm, feja mësohet si lëndë e intonuar konfesionalisht, ndërsa në atë të mesëm, nxënësit kanë mundësi të zgjedhin lëndën e etikës. Të gjithë nxënësit të cilët i përkasin njërës prej bashkësive fetare të njohura me ligj janë të obliguar të ndjekin mësimin fetar të konfesionit të vet.

Në rast se nxënësi apo nxënësja nuk dëshiron të ndjek mësimin fetar, është i detyrueshëm që brenda pesë ditësh nga fillimi i vitit shkollor, të ç’lajmërohet (çregjistrohet). Ç’ lajmërimi duhet të bëhet me shkrim dhe t’i dorëzohet drejtorisë së shkollës. Drejtoria e shkollës pastaj duhet të njoftojë mësuesin kompetent të fesë. Nxënësit të cilët janë mbi moshën 14 vjeç mund ta bëjnë vetë me shkrim ç’ lajmërimin. Ndërsa për ata që janë nën 14 vjeç, e bëjnë prindërit apo kujdestarët e tyre.

Kush nuk ç’lajmërohet nga mësimi fetar në fillim të vitit (5 ditët e para), është i detyruar të ndjekë mësimin, përndryshe nuk mund të vlerësohet nga ajo lëndë. Për lëndën e pavlerësuar do të qëndronte në dëftesë “i pavlerësuar”, me ç’ rast ai vit shkollor nuk do të konsiderohej pozitivisht i kryer. Kjo do të thotë që nxënësi nuk e kalon klasën. Për këtë pasojë të rëndë më kohë duhet të njoftohen prindërit.

Ajo që mësimi fetar në shkollat austriake është një lëndë e detyrueshme (obligative), nuk është një privilegj që u është bërë Bashkësive fetare, por ajo është në harmoni të plotë me dimensionin religjioz të synimeve të përgjithshme të arsimit në shkollë.

Sipas objektivave edukative të shkollës publike austriake, shkolla ka për detyrë “të zhvillojë prirjet (aftësitë) tek të rinjtë për vlerat morale, fetare dhe sociale si dhe përmes një edukimi të përshtatshëm të kontribuojë për vlerat e së vërtetës, mirësisë dhe bukurisë. Nga kjo del se, komponenti fetar–filozofik është pjesë integrale e sistemit shkollor publik dhe mësimi fetar i organizuar nga kishat dhe komunitetet fetare, është i integruar në qëllimet e arsimit të përgjithshëm. Urdhri për një arsim të bazuar në vlera, zbatohet, në një farë mase, në çdo lëndë mësimore.

 

 

 

Miratimi i planit mësimor dhe mbikëqyrja e arsimit fetar

“Mbikëqyrjen për mësimin fetar në shkolla e mbart Kisha përkatëse ose komuniteti fetar.” Bashkësitë fetare janë përgjegjës për arsimin fetar, në organizimin e mësimdhënies, ato janë krejtësisht të pavarura nga shteti, megjithatë janë në varësi të tij në çështjet tyre të jashtme. Komunitetet fetare, pra janë përgjegjës për përgatitjen e përmbajtjes së kurrikulave dhe metodologjisë për hartimin dhe inspektimin e arsimit. “Shteti mbikëqyrë mësimin fetar dhe mësuesit e fesë vetëm në aspektin e organizimit dhe disiplinimit në shkollë. Kurrikulat dhe librat e hartuara nga komunitetet fetare nuk kërkojnë miratim e shtetit, por librat dhe materialet mësimore që i shfrytëzojnë bashkësitë fetare nuk duhet të bien ndesh me synimet e përgjithshme të edukimit kombëtar.

Mbikëqyrja e mësimit fetar që është e drejtë e bashkësive fetare bëhet nga inspektorët specialistë të emëruar nga komuniteti përkatës fetar. Në secilën njësi federale të R. së Austrisë B. islame ka caktuar një inspektor, i cili mbikëqyr mësimin fetar islam në shkollat e shtetit. Barrën financiare për mësimin fetar në shkollat publike e ka shteti (Bund, Länder). Kostoja për materialet mësimore, tekstet mësimore, stafin mësimor dhe inspektoret përballohet plotësisht nga shteti.

Për sa i përket financimit të mësueseve fetar është e parëndësishme, nëse ata janë në marrëdhënie pune me shtetin apo me bashkësitë fetare. Të gjithë mësuesit fetar i paguan shteti, d.m.th marrin rrogë prej tij.

Kjo është e tëra ajo, për sa i përket pjesës së parë të referatit tim lidhur më arsimin fetar në sistemin shkollor austriak, i cili mendoj se është me e interes për ne këtu dhe padyshim e ndihmon procesin e fillimit të përgatitjeve për aplikimin e mësimit fetar në shkollat publike të Kosovës.

P. S. Artikulli është lexuar si referat në Konferencën ndërkombëtare: Edukata fetare” ne sistemin shkollor në Kosovë” organizuar nga Bashkësia islame e Kosovës me 14-15 mars 2011.

 

Referencat

1. Adnan Aslan, Religiöse Erziehung der muslimischen Kinder ind Deutschland und Österreich, Stuttgart, 1998.

2. Kalb/Potz/ Schinkele, Religionsrecht, Wien, 2003.

3. Ednan Aslan, Islamische Erziehung in Europa (Islamic Education in Europe), Wien, 2008

4. Österreichische Imam-Konferenz – Aktivitäten der Islamischen Galubensgemein-schaft in Österreich, Wien, 2006

5. Islam in Europe, Europäische Islam – Konferenecen der Islamischen Glaubens-gemeinchaft in Österreich (II) Wien, 2006

6. Novi Muallim, nr. 4, Sarajevë, 2000

7. www.islamgjakova.net/artikulli.

8. www.wien.gv.at/bh-hr-sr/zajednicki-zivot/religija.htm

9. www.wapedia.mobi/hr/Obrazovanje_u_Austriji.

10. www.euro-islam.info

11. www.islamawareness.net/Europe/Austria/early.html

12. www.bs.wikipedia.org

13. www.integrationsfonds.at/

14. www.schulamt-islam.at/

15. www.islaminitiative.at

16. www.diepresse.com/home/panorama/oesterreich/

17. .www.dzematsg.ch/html

18. www.bsr.tsn.at/pix_db

19. www.veraznanjemir.bos.rs/

20. www.regionalexpress.hr/site/more/

21. www.iltizam.org/tekstovi/read/1919/

22. www.islamska-zajednica.hr/vijesti/udzbenici.