Agjërimi dhe rregullat e tij në Islam

Agjërimi është shtyllë esenciale e Islamit, i cili ishte obligim te të gjithë fetë qiellore, poashtu edhe te feja Islame, dhe argumenti i obligimit të tij, është në Kuránin f.m dhe në hadithet e Muham-medit a.s dhe  të gjithë dijetarët Islam pa marrë parasysh kur jetuan dhe ku jetuan ata, janë në ujdi se është obligim.

Agjërimi në Kuránin f.m. përmendet katërmbëdhjetë herë me shprehjen ,,SAUVM´´ dhe shumë herë në hadithet e Muham-medit a.s.

Kuptimi i saj në aspektin etimologjik (gjuhësorë) do të thotë : Frenim, heshtje, lënie, braktisje, largim, qetësim. Ndërsa në atë terminologjik të sheriatit Islam ka disa definicione, por që të gjithë janë përafërsisht të njejtë, e që ne do të përmendim vetëm një:

,, Të larguarit, të frenuarit nga ngrërja, pija dhe mardhëniet intime, prej mëngjesit (imsakut) deri në mbrëmje (iftarë) me qëllim adhurimi ndaj All-llahut xh.sh.´´

Kushtet e agjërimit:

Sipas dijetarëve të shkollës juridike Hanefite, kushtet e agjërimit ndahen në tre lloje, edhe atë:

1-Kushtet e obligueshmërisë së agjërimit

2-Kushtet e obligueshmërisë së kryerjes së agjërimit

3-Kushtet e vlefshmërisë së agjërimit.

-Kushtet e obligushmërisë së agjërimit janë ato kushte pa të cilat agjërimi nuk obligohet nëse mungonë njëri prej tyre, e ato janë:

1-Islami, pra, për të qenë agjërimi obligim është kusht që personi të jetë musliman,sepse për jomuslimanin nuk ka obligim të agjërimit.

2-Mencuria, është kusht i obligueshmërisë së obligimeve, ngase i cmenduri nuk është në gjendje ti pranojë obligimet. Për këtë tha Muham-medi a.s :

,,Është ngritur lapsi (nga shkrimi i mëkateve) për tre persona: Nga fëmiu derisa të rritet e të hyjë në moshën madhore, i fjeturi derisa të zgjohet dhe nga i cmenduri derisa të shërohet´´ (Buhariu).

3-Mosha (puberteti), ngase agjërimi nuk obligohet për fëmijë edhe nëse janë të pjekur, të zhvilluar, saqë mund t’i dallojnë cështjet. Mosha e fillimit të agjërimit të tyre është nga shtatë vjet(nëse janë të fuqishëm), e pas moshës dhjetë vjecare, mundemi edhe nga pak t’i qortojmë, dhe kjo bëhet me qëllim që ata t’i përgatisim dhe ti ushtrojmë për të ardhmen, e jo si obligim.

4-Dituria për obligueshmërinë e agjërimit. Ky kusht vlenë vetëm për ata njerëz të cilët jetojnë në vendet ku nuk ka muslimanë, dhe nga vetiu e pranojnë Islamin, mirëpo nuk e dijnë se agjërimi është obligim.

-Kushtet e obligueshmërisë së kryerjes së agjërimit:

Këto janë kushtet që të mundësojnë të agjërosh ose jo.

1-Shëndeti,do të thotë se personi i cili është I sëmurë dhe nuk mund ta përballonë agjërimin, lejohet të mos agjërojë, por, që më vonë kur të shërohet, ato ditë që I kaluan pa agjërim, i kompensonë ditë për ditë.

2-Qëndrimi (mosqenia në udhëtim), do të thotë që edhe për udhëtarin i cili udhëtonë dikund, mund të mos agjërojë, por që ditët e ngelura i kompensonë pas Ramazanit. Për lejimin e mos agjërimit për të sëmuarin dhe udhëtarin All-llahu na ceku në Kur’anin f.m. ku tha: ,,….ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme….(El-Bekare, 185).

-Kushtet e vlefshmërisë së agjërimit:

Për të qenë agjërimi i vlefshëm duhet të plotësohen këto kushte :

1-Të mos jetë në menstruacione (Hajz dhe Nifas), që do të thotë se femra e cila është në këtë gjendje, nuk i lejohet të agjërojë, por me pastrimin e saj nga të përmuajshmet, fillon me agjërim dhe i kompensonë edhe ditët që i kaloi pa agjëruar kur t‘i jepet mundësia.

2-Nijeti (qëllimi), pra është obligim në cdo adhurim. Vendi i tij është zemra, por shqiptimi me gojë është vepër e mirë (sunet). Pra në ditët agjëruese nijetin e bëjmë kështu: Vendosa të agjëroj, për hirë të All-llahut, ma prano o Zot këtë ditë agjëruese.

3-Mënjanimi i gjërave që e prishin agjërimin.

Arsyet juridike të sheriatit Islam që lejojnë mosagjërimin:

1-Agjërimi i të sëmuarit.

Dihet se Islami i dha rëndësi të madhe ruajtjes së shëndetit të njeriut. Edhe në kohë të agjërimit, Zoti i madhërishëm duke treguar mëshirën e madhe që ka për krijesat e Tij, ja lehtësoi njeriut jetën e tij, duke i mundësuar që në raste të pamundësisë së tij siq është sëmundja, që most ë agjërojë, por me evitimin e kësaj pengese, t’i plotësonë ditët e ngelura pa agjëruar. Këtë e kemi të lejuar me verset Kur’anor, në suren El-Bekare, 185, ku thuhet:

,, E kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim”.

I sëmuari i cili ka filluar agjërimin, mirëpo ka  frikë se nëse agjëron do t’i rritet sëmundja, ose nuk do të mund të shërohet, do ta vonon shërimin e tij, ose me agjërim do të dëmtonë ndonjë organ të trupit të tij, në këto situata, sipas të gjithë dijetarëve i sëmuari e ka Vaxhib që ta prishë agjërimin, dhe agjërimi për të në këto gjendje është i ndaluar (Haram).

Mirëpo sëmunjda të jetë e përcaktuar nga mjeku specialist,i drejtë dhe musliman, apo nga përvoja në të kaluarën qe  personi kishte dhe e din se do të vijë në këtë gjendje të rëndë. Arsyetim për të prishur agjërimin nuk merret një sëmundje e lehtë e cila mund të përballohet dhe që nuk shkakton probleme serioze shëndëtësore, si p.sh. kokëdhimbja e lehtë.

2-Agjërimi i udhëtarit.

Gjithashtu All-llahu xh.sh. edhe për njerëzit që udhëtojnë në kohë agjërimi, ua mundësoi lehtësimin, që mund të mosagjërojnë, duke marrë parasysh vështirësitë që ka rruga. Edhe kjo është e ligjëzuar me ajet Kur’anor, të cilin ajet e cekëm më lartë në pjesën e lejimit të agjërimit për të sëmuarin, pra ajeti i sures El-Bekare,185. Distanca që e përmendën fukahat Islam, dhe që lejon mosagjërimin është udhëtimi mbi 81 km, largësi e cila e obligonë besimtarin edhe në shkurtimin e namazit nga katër rekate në dy.

Duhet të përmendet se personi i cili ka vendosur të qëndrojë mbi 15 ditë në vendin ku ka shkuar si musafir, obligohet me agjërim dhe me namazë pa shkurtim.

3-Agjërimi i gruas shtatzënë.

Gruaja e cila është me barrë, dhe pret që të lindë, dhe e cila ka frikë se nëse agjëronë do të dëmtonë fëmiun në barkun e saj, Islami i’a lejoi asaj mosagjërimin, si mëshirë ndaj foshnjes në barkun e saj, dhe mos dëmtimin e fëmiut. Gjithashtu edhe këtu kërkohet që agjërimi most ë prishet se asaj I pëlqen ashtu, por një konstatim e mjekut specialist dhe i drejtë i kesaj lëmije, apo rastet e mëhershme që ka pasur ajo në lindjet tjera e që kan shkaktu probleme tek ajo ose tek fëmiu i saj.

4-Menstruacionet.

Nëse femrës gjatë agjërimit I paraqitet cikli mujor-menstruacionet, I ndalohet agjërimi derisa të pastrohet. Me kalimin e kësaj gjendje, ajo obligohet që ditët që I kaluan pa agjërim t’i kompensojë. Këtë na e vërteton hadithi I Pejgamberit a.s që e transmeton h.Aisha r.a. e cila kur është pyetur ka thënë:

,,Në kohën e të dërguarit të All-llahut xh.sh.na vinin menstruacionet, andaj urdhëroheshim që të bëjmë kaza(kompenzim) agjërimin por jo edhe namazin. (Muslimi).

5-Pleqësia.

Sipas të gjithë dietarëve personat e shtyrë në moshë dhe të cilët nuk kanë mundësi të agjërojnë në asnjë stinë të vitit, u lejohet të mos agjërojnë. Por si kompenzim të mosagjërimit , obligohen të paguajnë nga një Fidje (ushqim ditor për një të varfur).

6-Cmenduria.

Nëse te personi paraqitet sëmundje psiqike, të cmendurisë, ky personë nuk obligohet me agjërim, por as me kompenzim, nëse sëmundja zgjatë gjatë tërë Ramazanit, në të kundërtën po.

7-Prishja e agjërimit me detyrim.

Nëse kemi edhe kësi raste, personit në fjalë i lejohet të prishë agjërimin, por më pas duhet të kompenzonë të njejtin.

8-Paraqitja e urisë së madhe.

Nëse ndodhë që gjatë agjërimit,personit agjërues i paraqitet nevojë e madhe e urisë ose etjes, saqë ka frigë se do ta dëmton shëndetin e tij, i lejohet të prishë agjërimin e më pas të bëjë kompenzimin e ditës së prishur.

Të gjitha këto pika që i përmendëm, dhe situatat që lejohet të mos agjërojmë nëse jemi në njërën nga këto gjendje, tregojnë për mëshirën e madhe qe ka Zoti xh.sh për krijesat e Tij, dhe me këtë vërtëtohet ajo se Islami nuk është për ta rënduar,  malltretuar dhe  shkatrruar njeriun, por, në bazë të mundësive të tij edhe t’i kryen obligimet e caktuara nga All-llahu xh.sh. me lehtësi dhe me kënaqësi.

Menderez Alili, Imam

Xhamia “BASHKIMI”  Linz