Të kuptuarit e drejtë të Takvasë (devotshmërisë)

Nuk është tërë e mira(e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, lajmëtarëve dhe pasurinë që e do, ua jep të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që fal namazin, jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit. (El-Bekare,177).

Hamdi i takon vetëm All-llahut subhanehu ve teala, përshëndetjet dhe selamet  përcjellim mbi profetin Muham-med s.a.w. Kënd e udhëzon All-llahu nuk ka mundësi askush të e humbë, e kush e humbi vetveten, vetëm Ai mund të e udhëzojë në të vërtetën.

Besimtarë të nderuar, vëllezër dhe motra:

Ne gjindemi në muajin e bekuar të Ramazanit, muajin e mëshirës, begatisë dhe shumë të mirave që ky muaj i sjell me vete. Por që karakterizohet edhe si muaj i takvallëkut (devotshmërisë), pasiqë nga besimtari agjërues kërkohet të përjetojë në maksimum këtë muaj dhe të arrijë devotshmërinë. Nëse agjëruesi arrinë me agjërimin e tij të bëhet i devotshëm, atëherë është arritur qëllimi i agjërimit, në të kundërtën, nëse edhe pas agjërimit ne nuk kemi ndryshuar për të mirë dhe nuk kemi gjetur devotshmërinë, atëherë dicka nuk paska qenë në rregull me agjërimin tonë. Këtë e themi duke u nisur nga fakti se All-llahu dhe Pejgamberi i Tij, kërkuan nga ne që bashkë me lukthin tonë të agjërojnë edhe të gjitha gjymtyrët e trupit, si sytë, veshët, duart, këmbët dhe gjithë qenja jonë, e jo thjeshtë ne të rrimë të uritur e të etur dhe në anën tjetër mos ta ndalim fjalën dhe punën e ligë.

Tha i dërguari i All-llahut, Muham-medi s.a.w. në lidhje me këtë : ,, Kush nuk e lë fjalën e pavërtetë dhe veprimin me të, All-llahu nuk ka nevojë që ai person të lërë ushqimin dhe pijen e tij´´ (transmetojnë, Buhariu, Ahmedi dhe Hakimi).

Ne në këtë temë nuk do të flasim mbi agjërimin si obligim Islam, por e morëm si shembull ngase jemi në këtë muaj, sepse devotshmëria  kërkohet prej nesh në cdo adhurim. E cka nënkuptojmë me devotshmëri?

Me devotshmëri nënkuptojmë që besimtari të ketë frigë All-llahun xh.sh. në mënyrë që t’i respektojë të gjitha kërkesat e Zotit dhe ti zbatojë ato në përpikni, të largohet nga të ndaluarat duke e ditur se Allahu e sheh në cdo vend, dhe të punojë punë të lejuara, dhe me këtë të shpresojë shpërblimin e Tij. Devotshmëria është porosi e Zotit dhe Pejgamberit të Tij, për të gjithë njerëzit e um-metit të Muham-medit s.a.w. Ndonjëherë Allahu xh.sh. e përmend devotshmërinë krahas emrit të Tij siq janë rastet tek disa ajete që do ti përmendim : ,, Kini frigë nga All-llahu, te i cili do të tuboheni´´ (El-Maide, 96).Pastaj në suren Hashr, All-llahu thotë: ,, O ju që besuat, frikësohuni All-llahut dhe le të shikojë cdonjëri se cka ka bërë për nesër. Dhe frikësohuni All-llahut! Ska dyshim se All-llahu është i njoftuar për atë që punoni‘‘ (Hashr,18). Prandaj kur përmendet devotshmëria krahas emrit të All-llahut, kjo nënkuptonë se duhet pasur frigë nga zemërimi i Tij, dhe kjo është ajo që duhet t’i kemi më shumë  frigë sepse nga kjo vjen dënimi në këtë dhe në botën tjetër. Pejgamberi s.a.w.thotë: ,, Ki frigë All-llahun kudo që të jesh, ndërsa pas veprës së keqe kryeje një të mirë me cka do ta shlyesh dhe sillu mirë me njerëzit‘‘(Tirmidhiu,1987). Të shohim disa nga pëkufizimet që dhanë dijetarët dhe njerëzit e mirë rreth devotshmërisë : Omer ibën Abdulazizi r.a. ka deklaruar: ,,Nuk është frikë nga All-llahu vetëm të agjërosh ditën dhe të falesh natën, por është braktisja e asaj që All-llahu e ka ndaluar dhe kryerja e asaj që e ka urdhëruar. Dhe secili pas kësaj nderohet me ndonjë mirësi tjetër, atëherë kjo është më e mira e të mirave ´´. Hasan el-Basriu r.a. kështu i definoi njerëzit e devotshëm: ,, Të devotshmit i frikohen All-llahut aq shumë sa që nga kjo frikë kanë braktisur shumë gjëra të lejuara nga frika se do të zhyten në ato të ndaluarat ´´. Ibën Mes’udi r.a. thoshte: ,,Takvallëku (devotshmëria) është që All-llahut t´i shprehet bindje pa mëkat, që të përmendet shumë dhe pa e lënë në harresë, dhe të falënderohet shumë pa mohim të mirësisë´´.Në të shumtën, fjala devotshmëri përdoret për largimin nga të ndaluarat siq tha Ebu-Hurejre r.a. kur e pyetën për devotshmërinë, ai bukur u shpreh: ,,A keni shkuar ndonjëherë rrugës me plot gjemba? Po, iu përgjigjën. Si keni ecur nëpër të? Pyeti Ebu-Hurejre. Ata u përgjigjën: Sa herë që kemi parë gjembat, jemi larguar anash dhe i kemi kërcyer ose jemi ndalur. Ebu-Hurejre u tha: Kjo është devotshmëria´´.

Pejgamberi s.a.w. kur e niste ushtrinë e tij për në luftë e porosiste komandantin e ushtrisë që të sillet mirë me ushtarët e tij. Në haxhin e lamtumirës njerëzve u preferoi devotshmëri dhe bindje ndaj prijësve,(Muslimi,1298). Poashtu transmetohet se njëherë gjersa po u mbante një ligjëratë njerëzve, ata i thanë: Kjo sikur të jetë ligjërata e fundit, lamtumirëse, prandaj na lë ndonjë amanet(porosi)? Ai u tha: ,,Ju lë amanet devotshmërinë´´.Do ta përfundojmë këtë hutbe me porosin e Ali Ibn Ebi Talib r.a. që ja dha një njeriu që e kishte dërgu si prijës në një vend duke i thënë: ,, Të këshillojë të kesh frikë nga All-llahu ngase një ditë do të takohesh me Të, pos te Ai nuk ke mbrojtje tjetër dhe Ai është i Cili posedon edhe këtë botë edhe botën tjetër´´.

Të lutemi edhe ne siq është lutur Profeti Muham-med s.a.w. ne duat e tij:

,, O All-llah, unë nga Ti kërkoj udhëzim, devotshmëri, nder dhe pavarësi´´(Muslimi,2721).

,, O All-llah, nga Ti kërkoj që të frikohem prej Teje edhe haptas edhe fshehtas´´(Ahmedi,4/264).

Zoti Ynë, na mundëso që të jemi njerëzit më të devotshëm, dhe Ti të jesh i kënaqur me ne, dhe na shpwrble me Xhen-netet e Tua. AMIN

Hutbe e mbajtur më 04.07.2014

Xhamia,,BASHKIMI´´ Linz

Imam, Menderez Alili