Warning: Trying to access array offset on false in /home/.sites/125/site7805860/web/wp-content/themes/neeon/functions.php on line 84

Kosova në shtatë vjetorin e pavarësisë së saj

,, Me të vërtetë, All-llahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten…. ( ER-RRad, 11)“.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra:

Në këtë hutbe të kësaj xhumaje, me lejen e Krijuesit të gjithësisë, do të flasim për një ngjarje shumë të rëndësishme që para shtatë viteve përjetuam ne shqipëtarët në përgjithësi dhe shtetasit e Kosovës në vecanti, pra pavarësija e Republikës së Kosovës. Shkaku i rikujtimit të pavarësisë së saj është data e shtatëmbëdhjetë e muajit shkurtë të vitit 2008, ku parlamenti i Republikës së Kosovës unanimisht, shpalli këtë shtet të pavarur dhe demokratik. Me këtë datë edhe zyrtarisht shënohet në histori një shtet i ri në këtë hapësirë, dhe sot ne kemi shënuar edhe ditëlindjen e shtatë  të mëvetësimit. U realizua një ëndërr e madhe e popullit të shumëpërvuajtur kosovar dhe shqipëtarë në përgjithësi. Kosova e cila  me dekada dhe me shekuj ishte nën regjime dhe sisteme të ndryshme, përjetoi të zitë e ullirit, më në fund deshti Zoti i Madhërishëm, që ato lotë që derdhën shqipëtarët me dekada nga vrasjet, malltretimet, shpërnguljet masive, shkatrrimet në pasuri etj, në këtë datë të shtatëmbëdhjetë shkurtit të vitit 2008, u zëvendesuan me lotë gëzimi dhe shprese. Vetëm sot shumica e njerëzve e kuptuan cvlerë dhe sa e shenjtë qenka fjala liri, sepse më herët kjo ishte vetëm një fjalë në fjalorin e gjuhës tonë të bukur shqipe. Kjo u arrit me lejen e Zotit të Madhërishëm, drejtësia e të Cilit është absolute dhe vihet në vendin e duhur, sepse ky popull ishte në vatrat e tyre shekullore dhe padrejtësisht u nëpërkëmb nga regjimi diktatorial Serb, i cili me dekada pamëshirshëm ua merrte fëmijët nga prehri i nënës dhe ua vriste para syve të tyre, ua përdhunonte vajzat, djemt më të mirë nga shërbimi ushtarak ua kthente në arkivole ua djegte shtëpitë ua merrte pasurinë e shumë cka tjetër që vërtetë lloji njerëzor nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Por drejtësia absolute e Zotit të plotëfuqishëm ashtu sic ka rrënuar shumë perandori, bëri që edhe këta të fundit të neutralizohen dhe të zhduken. Djemtë dhe bijat më të mira, morën armën në duart e tyre që njëherë e përgjithmonë ti thuhet stop dhe t’i nxjerrë jashtë kufijve të vendit tonë këto bisha të egra cetnike. Ranë heroikisht shumë shehidë (dëshmorë) por që ata ishin të bindur se nuk ka liri pa gjak. Faktori ndërkombëtar poashtu luajti një rol të rëndësishëm, që Kosova u clirua nga këto pranga shekullore.

Parashtrohet pyetja, po tani cpo ndodh me Republikën e Kosovës, në cfarë rruge po ecën tani ajo?

Ne jemi të vetëdijshëm se pas cdo konflikti luftarak, pasojat nga ai tmerr mbeten gjatë dhe vështirë të shërohen. Sot ne kemi ende një numër të të zhdukurve që akoma nuk janë të gjetur as eshtrat e tyre, kemi njerëz që janë ende nëpër shtëpi të huaja e në tenda, kemi varfëri të skajshme, papunësi etj, etj. Por ajo qe akoma nuk po ndodh në popullin tonë ose tek udhëheqësit tanë është mosvetëdijësimi i tyre apo të moskuptuarit se ky shtet është cliruar me gjakë që ende është i pa terur. Ky shtet nuk e meriton të shkatërrohet, të korruptohet e të vjedhet nga disa individë të papërgjegjshëm. Këta të rinjë nuk e meritojnë që të lëshojnë vatrat e tyre sic po ndodh edhe në këto momente ku kemi mbi një qind mijë të rinjë, pleq, gra e fëmijë që janë nisur rrugëve të Europës pa pasur një destinacion të sigurtë se ku do të përfundojnë, për të siguruar një kafshatë buke dhe kjo po ndodh për qejfin e disa burrave e them kushtimisht që nuk po mund të ngopen duke e vjelë shtetin e tyre që ua lanë amanet dëshmorët e lirisë. Këta udhëheqës harruan se ata i zgjodhi populli për të përmirësuar gjendjen e popullit, e jo për ti shpërngulur në mënyrë masovike, gjë e cila nuk kishte ndodh as në kohë lufte. Këtu do tua rikujtojë atyre një thënje të një udhëheqësi shumë të drejtë të muslimanëve siq ishte h.Omeri r.a. i cili tha: ,, Njerëzit që i zgjedh populli për ti udhëhequr, ata janë argat dhe shërbëtorë të atij populli“. Ne jemi të bindur se do të vijnë ditë më të mira me lejen e Zotit f.p. dhe se Kosova do ta kthejë rendin dhe drejtësinë ku populli do të jetojë ashtu siq e meriton. Dhe poashtu jemi të bindur se udhëheqësit e padrejtë dhe të korruptuar gjer në gushë, do të dalin para drejtësisë, sepse All-llahu nuk do ti len që ata të veprojnë kështu. All-llahu do ta ndryshojë këtë gjendje, por paraprakisht ne duhet të mundohemi në maksimum të ndryshojmë. Në Kur’an thuhet:

,,  Kush bënë mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes, e Zoti yt nuk është i padrejtë ndaj robërve‘‘ (Fus-silet, 46)

Ka mundësi që All-llahu ti lërë të enden të lirë, t’u japë afat dhe të mos ua shpejtojë dënimin në mënyrë që të përmirësohen, por pastaj i dënon befasisht. Në Kur’an thuhet: ,, Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e cdo mirësie. Por sapo po gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim‘‘ (El-En’am, 44).

Një është e sigurtë se edhe po të kenë mundësi këta njerëz t’i ikin drejtësisë së kësaj bote, në asnjë mënyrë nuk do ta kenë atë luks në botën tjetër, ku drejtësia absolute e All-llahut f.p do ti gjykojë për cdo veprim të papërgjegjshëm që bënë ndaj popullit të tyre. Ndoshta atyre u jepet afat deri në ditën e gjykimit, në mënyrë që dënimi i tyre të jetë më i rëndë, siq thotë All-llahu në Kur’anin f.m :

,, E ti kurrsesi mos e mendo All-llahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët,  Ai vetëm është duke i lënë ata përderisa një ditë në të cilën sytë shtangen (mbesin të hapur)‘‘ (Ibrahim, 42).

Krejt në fund, lusim Zotin e Madhërishëm që të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre, jetën, ata që lanë gjymtyrat e trupit të tyre në fushën e nderit, ata që humbën pasurinë e tyre dhe të gjithë kontribuesit pa mar parasysh në cfarë mënyre kontribuan vetëm e vetëm pë ta parë Kosovën të cliruar, kompenzim ta kenë Xhen-netin, sepse nuk ka kompenzim dhe shpërblim më të mirë që mund ta shpërblejë sakrificën e tyre.

Shfrytëzojmë nga rasti që në emër të Xhamisë ,, Bashkimi‘‘ në Linz të Austrisë të gjithëve tua urojmë shtatë vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Hutbe e mbajtur më 20.02.2015

Xhamia ,,Bashkimi“ Linz                                                              Imam, Menderez ef. Alili