Muham-medi a.s. shembull i përkryer për ne

islamic-wallpapers-620x310

,,Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun” ( El-Ahzabë,21 ).

Në shumë ajete Zoti i Madhërishëm flet me lavdërime për Pejgamberin e Tij, të cilin na e paraqet si një shembull dhe model për ne i cili posedon cilësitë më të larta të ahlakut. Jeta e tij prej fillimit e deri në fund është shumë e rëndësishme për besimtarin musliman. Ai ka përcjellë dhe kumtuar vetëm të bukurën, ka jetuar të bukurën dhe duke këshilluar bukurinë ka thënë:

,,Me të vërtetë, All-llahu është i Bukur dhe e do të bukurën“

Muham-medi a.s ishte personalitet me moral më të përkryer dhe këtë na e pohon bashkëshortja e tij h.Aisha r.a e cila kur u pyet për moralin e tij, ajo tha: ,,Ju a nuk e lexoni Kur’anin? Morali i tij ishte Kur’ani” dhe këtë moral të lartë të tij e hasim në cdo segment të jetës së tij, madje edhe para se të shpallej pejgamber. Ai ishte superior në adhurim ndaj All-llahut xh.sh, kuptohet ai ishte pejgamber por kjo nuk na amneston neve të themi se ne nuk mundemi si ai sepse jemi njerëz të thjeshtë, nuk kemi gradë siq e kishte ai. Dakord, nuk jemi në atë rang, por kemi shumë mundësi të ndjekim rrugën e tij dhe pastaj sa të na jepet hapësirë veprimi të punojmë.

,,All-llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij” ( El-Bekare,286).

Nëse ai (Muham-medi a.s) ka dhënë cdo gjë në rrugë të All-llahut, edhe ne duhet të japim dicka por ta japim atë qoftë ,,dicka”. Nëse ai ka falur namaz derisa i janë enjtur këmbët, edhe ne duhet të falemi , nëse jo sa ai, por të paktën fytyra jonë ti drejtohet kibles dhe balli ynë të qëndron disa caste në sexhde. Nëse ai vizitonte rregullisht të sëmuarit bile pa i dalluar nga feja, vizitonte nevojtarët, u ndihmonte dhe përkujdeseshte për jetimët, ne të paktën të përkujdesemi për të afërmit, ti vizitojmë të sëmuarit tanë, fukarat, jetimët tanë, nëse nuk kemi mundësi të dalim jashtë në teren. Nëse ai ka bërë punë të mdhaja, punë kapitale që ishin të mira, të drejta e të dobishme, ne të paktën të koncentrohemi në punë më të vogla me aq mundësi sa kemi, por mos ti lëmë krejt. Nëse Muham-medi a.s në ramazan e shtonte edhe shumë më shumë aktivitetin e tij në cdo aspekt, ne të paktën ato që janë më të lehta dhe më të nevojshme ti bëjmë, ta përmirsojm sjelljen tonë, fjalorin, moralin, pastaj ti shtojmë më shumë se në muajt tjerë lëmoshat, ti falim namazet bashkë me teravinë në mbrëmje në xhami, të lexojmë më shumë kur’an, të këshillohemi më shumë mes vete, ta rrisim ftesën tonë ndaj atyre që ende janë në mjegull. Nëse sdo të kemi sukses te të tjerët, jam i sigurt se ndryshimin për të mirë në ramazan mund ta bëjmë tek vetja jonë. Thënë shkurtë, me një fjalë të mundohemi ti afrohemi atij që Zoti xh.sh e quajti shembulli më i mirë për njerëzimin, Muham-med Mustafas s.a.w.s

Se mjafton angazhimi ynë qoftë edhe vetëm me ato që jemi të obliguar, vërteton poashtu mësuesi i njerëzimit Muham-medi a.s kur atij i erdhi një nomad flokëprishur e i tha:

-O Resulall-llah, më informo se cmë ka urdhëruar All-llahu prej namazeve?

Pejgamberi a.s u përgjigj: Pesë kohët e namazit, vetëm nëse don ti dicka të shtosh vullnetarisht.

Pastaj cka tjetër, pyeti nomadi: Muajin e Ramazanit, përvec nëse ti dëshiron të shtosh dicka vullnetarisht, iu përgjigj Pejgamberi a.s.

Më informo se cka më ka obligu All-llahu nga zekati? pyeti nomadi: Pejgamberi a.s e informoi me të gjitha obligimet islame. Atëherë nomadi tha: Pasha Atë i Cili të ka nderuar (me pejgamberllëk) nuk do të shtojë vullnetarisht asgjë, por edhe nuk do të shkurtojë (sdo lë mangët) asgjë prej asaj që më ka obliguar All-llahu. Pejgamberi a.s me atë rast tha: Nëse ka qenë i sinqertë do të hyjë në xhen-net.

Muham-medi a.s na informoi se agjërimi luan një rol të rëndësishëm në jetën e njeriut  si në aspektin fizik dhe në atë shpirtëror. Ne e dimë se njeriu është qenie dualiste e përbërë nga shpirti dhe materia, dy faktorë që janë në një luftë të përhershme mes vete dhe ramazani mu këtu ndihmon njeriun që ana shpirtërore të jetë fitues ndaj materies, sepse kur shpirti del fitues atëherë njeriu ngritet në një shkallë me melekët e Zotit.  Muham-medi a.s tha se lufta për ta shpëtuar veten është më e madhe se lufta kundër armikut, dhe normalisht përveq që shëron shpirtin agjërimi është edhe shërim për trupin. Ai tha në një hadith: ,,Agjëroni dhe shërohuni” fjalë të cilat sot me 100% saktësi i vërteton mjekësia bashkëkohore, bile bile edhe duke ua rekomanduar shumë të sëmuarve.

Ne jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në shoqërinë tonë dhe besoj se me këtë konstatim pajtoheni. Husein Gjozo (dietar i madh boshnjak) jep këtë konstatim i cili ndoshta përshtatet më së shumti në këtë kohën tonë të modernizimit, ai thotë: Njeriu më parë ka qenë shumë më modest se sot duke iu përmbajtur disa normave që e mësoi islami dhe traditave të popullit dhe vendit të tij. Ai ka qenë i kufizuar në haje, në pije, në veshmbathje, në ecje, në fjalorë, respektonte familjen e farefisin, mësuesin, të vjetrit, musafirët, fëmijët, kafshët e shpezët, natyrën, bimët. Pastaj edhe në raste gëzimi dhe pikëllimi ku ishte i ftuar respektonte rendin fetar dhe atë tradicional. Sot jetojmë në një vakum, ku nga pikëpamja e normave morale dhe vlerave shpirtërore, sundon kaos i vërtetë. Nuk ekzistojnë më kurrfar normash stabile në sjelljen e njeriut bashkëkohor. Shiko se si vishet, se si han e cka pin, si është sjellja e tij me të gjithë, ndryshim i madh negativ. Është ngopur me pije alkoholike dhe tani kalon në lëndë narkotike. Në fëmijërinë dhe rininë e tij të hershme shijoi gjithcka dhe tanimë sikur ska nevojë për to dhe kaloi në një stil tjetër jetese, aspak të përshtatshëm. Nëse kështu vazhdon edhe më tej, ekziston frika e arsyeshme se do të vijë deri te deformimi i plotë i personalitetit njerëzor dhe paralizimi i plotë i trupit të tij.

Agjërimi prandaj vjen që të na mbrojë nga e gjithë kjo. Sa bukur tha Muham-medi a.s në një thënie të tij: ,,Es-savmu xhun-netun- agjërimi është mburojë” sepse vërtetë na mbron në cdo pikëpamje, mbron shpirtin dhe trupin tonë njëkohsisht.

Ana tjetër e bukur e ramazanit është edhe ana sociale. Ai nxit njeriun agjërues për humanizëm. Duke abstenuar nga haja dhe pija ai ndjen nevojën e urisë dhe etjes dhe automatikisht lidhet shpirtërisht por dhe fizikisht me ata që cdo kohë e kan ramazan dhe ndanë ushqim dhe gjëra tjera për nevojtarët. Njeriu bëhet i butë dhe zemërmirë, dhe ai nuk kursen me agjërim por atë ua jep fukarave, jetimëve, udhëtarëve etj. Një fjalë e urtë thotë: ,, I ngopuri nuk ia din të uriturit, siq nuk ia din i shëndoshi të sëmuarit, siq nuk ia din i pasuri të varfërit. Duhet ndier urinë  personalisht e pastaj për të hapur zemrën dhe portofolin për të tjerët me nevojë. Duhet të kishe përjetuar etjen për ti kuptuar të eturit në Afrikë dhe shumë vende tjera të botës. Duhet ta kishe përjetuar luftën për ti akceptuar ata që po vriten mizorisht me dekada në Palestinë e në Syri e në Burma dhe ata që po udhëtojnë me mijra kilometra për ti ikur vrasjeve dhe masakrave e që pushtuan Evropën dhe gjetiu. Vjen poashtu sadakatul-fitri në fund të ramazanit si lehtësim të situatës së fukarave dhe njikohsisht pastrim i agjërimit tonë nga gabimet e ditëve agjëruese. Muham-medi a.s na tha se agjërimi ndryshon ose duhet të ndryshojë për 100 shkallë besmitarin duke e bërë më të mirë në të gjitha aspektet. Dijetarët thanë se për ta menjanuar njeriu një ves të keq i nevojitet atij afërsisht një muaj kohë dhe për atë Zoti i Madhërishëm nga mëshira e Tij e madhe dhe nga dashuria që ka për robin e Tij ia dha njeriut këtë dhuratë të cmuar një herë në vit që ai ti len veset e liga. Shih si e pritnin këtë muaj të bekuar Muham-medi a.s bashkë me shokë e tij. I dërguari i All-llahut asnjëherë nuk ishte lakmitar i kësaj bote dhe të mirave të saj, gjithmon e luste Zotin e Tij që të largohet nga kjo botë si shehid( dëshmorë ) përvecse kur afroheshte muaji i bekuar e luste Zotin xh.sh që ti jep jetë e ta përjetojë begatinë e madhe që sjell me vete mbreti i muajve, ramazani. Edhe shokët e tij ishin kështu të mësuar dhe me ndryshimin dhe kënaqësinë më të madhe e pritnin ramazanin. Është pyetur një herë sahabiu i njohur Abdullah ibën Mes’udi r.a se si e pritnit ju muajin e bekuar të ramazanit? Ai tha: ,, Kur vinte muaji i Ramazanit, në zemrat tona nuk kishte më asnjë urrejtje ndaj askujt”. Kta ishin shokët e Muham-med Mustafas a.s për të cilët All-llahu i Madhërishëm tha: ….,,ishin të butë dhe të mëshirshëm mes vete…..”. Përndryshe nëse kemi qen agjërues por njëkohësisht nuk jemi distancuar nga urrejtja, gënjeshtra, mashtrimi, fjalët e liga, munafikllëqet aterë kot kemi ndejtur të uritur dhe të etur.

Ramazani na ofron edhe një përjetim dhe rregull që ndoshta ne muslimanët e humbim gjatë muajve tjerë, e ajo është disiplina, rendi dhe respektimi i orarit. Të gjithë mislimanët i përmbahen tani kohës dhe programit së fiksuar nga Zoti duke filluar agjërimin në të njejtën kohë, hapjen e iftarit në minutën e njejtë, të gjithë anëtarët e familjes së madhe muslimane shijojnë së bashku urinë dhe etjen dhe ajo më e rëndësishme se nuk bëhet dallim mes të pasurve dhe fukarave, midis pronarit dhe punëtorit dhe ktu secili hyn në garë për të bërë punë të mira dhe për ta arritur devotshmërinë e që është edhe synimi kryesorë i agjërimit. Në këtë muaj shumë njerëz kokëfortë, mosmirnjohës dhe mohues zemra e të cilëve është e ngurtë  ska mëshirë dhe dhembshuri, ramazani i bën ti largojnë këto tipare të liga. Këtu padyshim se u ndihmon Zoti i Madhërishëm duke ua lehtësuar punën me armikun e njeriut, duke vënë në pranga djajt e mallkuar dhe njeriu e ka më lehtë të përmirsohet. Thotë Muham-medi a.s:

Kur vjen muaji  Ramzanit hapen dyert e xhen-netit,  mbyllen dyert e xhehen-nemit dhe shejtanët prangosen me zinxhirë”

Në hadithin tjetër thuhet:

,,Kush agjëron muajin e Ramazanit duke besuar dhe duke e pritur shpërblimin vetëm nga All-llahu, atij i falen të gjitha mëkatet e mëparshme”:

Ti shfrytëzojmë në maksimum këto mundësi të arta që na janë dhënë neve si besimtarë. Lum ai që u angazhua në këto tre muaj që edhe Pejgamberi a.s i ka lëvdëruar.

Ka thënë Ebu Bekër el-Behli: ,,Muaji Rexheb është muaji i të mbjellave, Sha’bani është muaji i ujitjes së asaj që është mbjellë dhe Ramazani është muaji i korrjes“

Përfundojmë këtë ligjëratë të shkurtër me fjalët e LLukmanit a.s i cili duke ia spjeguar djalit të tij vlerën e agjërimit në mes tjerash i tha:

,,O biri im! Kur stomaku mbushet, mendimi fle, arsyeja nuk flet dhe organet e trupit mezi e adhurojnë All-llahun”

Lusim All-llahun e Plotëfuqishëm të na jep jetë ta arrimë muajin e bekuar të Ramazanit dhe kjo të jetë një mundësi e shkëlqyer për tu penduar, për të punuar dhe angazhuar maksimalisht në punë të hajrit, të na i lehtëson ditët agjëruese, të nai pranon gjitha duatë që ia adresojmë Madhërisë së Tij, dhë në fundë të gjithë ti gëzohemi faljes së All-llahut dhe bashkarisht të shpërblehemi në botën e amshuar të Ahiretit. Amin

 

Ligjëratë e mbajtur më 29.05.2016

Në tribunë në xhaminë shqiptare në Wels

Ligjërues: Menderez ef. Alili

You can leave a response, or trackback from your own site.

Leave a Reply