Ramazani muaji i devotshmërisë

Ramazani-1

,,O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim, sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm‘‘ (El-Bekare,183).

,,…..Muaji i Ramazanit, që në të (filloi të ) shpallet Kur’ani që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)…. (El-Bekare,185)”.

Njëra nga pesë shtyllat esenciale të Islamit është edhe agjërimi, një lloj ibadeti i vecantë dhe i dalluar nga ibadetet tjera, që kërkon bindje dhe sakrificë më të madhe nga besimtarët, sepse ka të bëjë me largimin  nga gjërat që në esencë i kemi të lejuara, mirëpo kur vjen koha e agjërimit na bëhen të ndaluara prej kohës së fillimit të agjërimit (imsakut) e deri në përfundimin e tij (iftarit) siq janë: mardhënjet intime me bashkëshortet, ushqimet dhe pijet  e lejuara etj. Këtë ibadet e kishin obligim edhe popujt qe ishin para nesh, mirëpo format dhe mënyrat e agjërimit të tyre ndryshonin  nga agjërimi ynë, siç ishte tek popujt para nesh e që ishte edhe më i vështirë se nëqoftë se njeriun e zinte gjumi dhe flente pas iftarit, nuk të lejoheshte të haje ushqim apo të kryeje mardhënje intime me gruan deri nesër në iftar, por që më pas u lehtësua dhe u bë si është edhe siq e kemi edhe ne sot. Kjo nga fakti se një njeri nga muslimanët u kthye nga puna i lodhur dhe e zuri gjumi pas akshamit, kështu që këtij iu ndalua të hajë dhe të pijë deri nesër në iftar dhe nga uria dhe lodhja e madhe  i ra të fikët, dhe pastaj Pejgamberit s.a.w. iu shpall ajeti Kur’anor i cili e përshkruan mënyrën e agjërimit duke ua lejuar të ushqeheshin gjeri në agim, shih ajetin që flet në lidhje me këtë: ,,Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja,ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ta. Allahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar All-llahu dhe hani e pini deri sa qartë të dallohet peri i bardhë  nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje…‘‘ ( El-Bekare, 187).

Parashtrohet  pyetja se a thua Zoti i madhërishëm  nuk e dinte se ky agjërim do të jetë i vështirë për tu mbajtur? Subhanall-llah, Ai është i gjithëdijshëm dhe e dinte se ky agjërim do sjellë vështirësi tek njerëzit, por këtë e bëri që besimtari ta ndjejë mëshirën e All-llahut që ka për robërit e Tij të devotshëm dhe që i obligon vetëm me gjëra të cilat janë të mundshme të realizohen. Tha All-llahu xh.sh në Kur’anin f.m:   ,, All-llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij…….‘‘ ( El-Bekare,286).

Qëllimi i gjithë obligimeve që na caktoi All-llahu xh.sh është që njeriu ti mban lidhjet e forta me Krijuesin e tij,sepse nëse njeriu shkëput lidhjet me Zotin e madhërishëm atëherë ai do të humbë kujdestarin dhe dirigjuesin e tij,njeriun atëherë do ta udhëheqin  djajt e mallkuar dhe epshet e tij,prandaj njeriu sillet si i tërbuar dhe pa kontrollë duke bërë gjeste dhe veprime jo të hijshme dhe jo njerëzore. Për atë neve na obligoi Zoti xh.sh me obligime të cilët duke i kryer,ne i tregojmë vlerat tona njerëzore,sepse  njeriu që falë namaz,agjëron ,jep lëmoshë etj, ky njeri nuk mundet të sillet keq dhe te jetë nga ata që u sjell dëme dhe probleme njerëzve tjerë,sepse obligimet na pastrojnë neve në cdo aspekt. E nëse ne shohim njerëz që edhe pas daljes nga xhamitë, pas kryerjes së agjërimit ose pas kthimit nga haxhi nuk kanë ndryshuar për të mirë,atëherë këta besimtarë,obligimet e tyre që i morëm si shembull i paskan kryer formalisht,sa për sy e faqë siq thotë populli. Në islam nuk ka vepra formale,gjithcka bëhet vlersohet në bazë të qëllimit që kishim më parë, tha Pejgamberi s.a.w:  ,, Të gjitha veprat vlerësohen në bazë të nijetit (qëllimit)……‘‘.

Edhe qëllimi kryesor i agjërimit është që  ne të arrijmë devotshmërinë, këtë e pamë edhe në ajetin e lartëshënuar të sures el-Bekare -183, ku në fundin e këtij ajeti thuhet ,,….. Leal-lekum tet-tekun ‘‘ që të bëheni të devotshëm. Pra qëllimi i agjërimit nuk është që njeriu thjesht të rrin i uritur dhe i etur, të dëmtonë organizmin e tij,dhe vërtetë është e pakuptimt nëse ne qëndrojmë  pesëmbëdhjetë orë e më shumë pa konsumuar asgjë,e të mos kemi qëllim tjetër se pse e bëjmë tërë këtë sakrifikic ndaj vetes tonë, por qëllimi  është shum më i madh, të bëhemi njerëz të butë dhe të përulur para fuqisë së All-llahut subhanehu ve teala, të arrijmë kënaqësinë e Tij dhe më pastaj të marrim shpërblimet e shumta që na janë rezervuar neve si agjërues në botën e amshuar të ahiretit. Prej nesh kërkohet që bashkarisht me ndërprerjen e ushqimit dhe pijeve gjatë ditës agjëruese, të ndërpresim edhe fjalën e keqe dhe punët e liga, d.m.th. njëkohësisht të agjërojnë të gjitha gjymtyrët e trupit tonë, ky është qëllimi i agjërimit, kështu arrihet devotshmëria e kërkuar nga Zoti f.p.

Profeti Muham-med s.a.w. në lidhje me këtë  në një hadithi të tij tha:

,,Agjërimi nuk don të thotë të largohesh vetëm nga ushqimi e pija, por të largohesh edhe nga fjala e keqe dhe vepra e shëmtuar. Nëse ndokush të provokon apo sillet si i marrë ndaj teje,atëherë thuaj :  ,,Unë agjëroj, unë agjëroj‘‘ (Ibn Huzejme dhe Ibn Hibbani).

E cka është devotshmëria?

Devotshmëri  është që All-llahu subhanehu ve teala të të gjejë aty ku të ka urdhëruar të jeshë dhe mos të gjendesh aty ku të ka ndaluar, me fjalë tjera, të ka urdhëruar të jeshë në xhami në kohë namazi,aty të jeshë. Të ka urdhëruar të largohesh nga të ndaluarat, të largohesh. Të ka urdhëruar respektin ndaj prindërve, ta bësh një gjë të tillë. Të ka ndaluar pijet dehëse, mos ti përdorësh ato. Të obligoi me agjërim, bëje një gjë të till, etj.

Agjërimi luan rolin e tij në shumë dimenzione. Të forcon në njërën anë dhe të dobësonë në anën tjetër. Ana që dobësohet është dominimi i trupit mbi shpirtin, pra dobëson trupin tonë që mos të jetë dominant mbi shpirtin, kur kemi parasysh se njeriu për dallim nga krijesat tjera posedon dy anë, atë trupore dhe atë shpirtrore. Krijesat tjera posedojnë vetëm njërën anë si p.sh. Melekët janë të krijuara vetëm nga drita, xhinët vetëm nga zjarri. Për atë tek njeriu zhvillohet një luftë e pakompromistë mes asaj materiale dhe asaj shpirtërore, se cila do ta fiton këtë  betejë dhe do ta merr nën kontroll krijesën njeri. Agjërimi e ka këtë qëllim, që të vëjë balans mes këtyre dy përbërjeve, bile edhe të dominojë ana shpirtërore në të shumtën e rasteve. Të dy anët kanë nevojë të ushqehen, sepse të dyjat janë të varura me njëra tjetrën. Trupi pa shpirt nuk bën, por edhe shpirti pa trupin gjithashtu nuk bën. Secili e merr ushqimin nga cka është krijuar, trupi prej tokës dhe prej saj ushqehet si ngrërja,pijet,mardhëniet intime,shëtitjet,dëfrimet etj. Ndërsa ushqime të shpirtit janë :Leximi i Kur’anit, namazi,agjërimi, dhikri,lëmoshat e ndryshme etj. Ndikimin tjetër që ka agjërimi në njeriun, është se zvogëlon me të madhe ndikimin e epshit të njeriut. Duke pakësuar ushqimin, zvoglon dhe kontrollon epshet e tij, që në të shumtën e rasteve c’orientojnë njeriun.

Anën që forcon agjërimi është rezistenca nga cdo tërheqjeje, pasi ty ndoshta të hahet ose të pihet dicka, por kur e mendon se je agjërueshëm, ndalesh, reziston. Dhe kjo rezistencë është vetë devotshmëria.

Gjithashtu forcon mardhëniet familjare dhe  shoqërore, familja bashkohet në kohë iftari që ndoshta ska qenë si program shtëpiak më herët, kur dihet se ushqimi sot hahet kush kur të dëshiron, e Ramazani vjen me programin e tij , shtrohen iftare të përbashkëta ku edhe më shumë forcohen lidhjet vëllazërore, pastaj namazet e përbashkëta ku dihet se shumica e njerëzve e rrisin vizitën e tyre nëpër xhami dhe falja e teravive së bashku etj.

Ramazani vjen me shumë mirësi:

Tregon Selman Farisiu r.a se në ditën e fundit të muajit Sha’ban Pejgamberi s.a.ë. na tha: ,,O ju njerëz! Po vjen një muaj I mirë, madhështorë dhe i bekuar. Në të ndodhet një natë që është më e mirë se një mijë muaj. Agjërimin gjatë ditës , Zoti e ka bërë detyrë dhe faljen gjatë natës e la në dëshirën tuaj. Kush kryen vullnetarisht një vepër të mirë, do të shpërblehet sikur ka kryer një obligim. Dhe kush kryen obligimet e caktuara nga Zoti, do ti llogariten sikur ka kryer shtatëdhjetë të tilla. Ai është muaji i durimit dhe durimi si shpërblim e ka xhen-netin. Ramazani është muaji i solidaritetit dhe muaj që shtohet rizku i besimtarit. Kush ushqen në iftar një agjërues i falen mëkatet, shpëtohet nga zjarri i Xhehen-nemit dhe do të ketë shpërblim njësoj si ai që ka agjëruar pa iu pakësuar nga shpërblimi i agjëruesit asgjë. Disa nga të pranishmit e pyetën: Ja Resulall-llah, ne disa nuk kemi mundësi të ushqejmë agjërues, cështë me ne? Ai tha: Zoti xh.sh ia jep këtë shpërblim edhe nëse jep një kokërr hurmë, apo një gotë ujë ose qumësht. Ai është muaji që fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij falje dhe fundi i tij shpëtim nga zjarri.

Nëse e marim këtë hadith të Pejgamberit s.a.w dhe e analizojmë si duhet, vërtetë secili nga ne duhet të jetë shumë i kënaqur i motivuar dhe falënderues  qe ja mundësoi  Zoti xh.sh. që të arrijë njeriu mundësinë për të konsoliduar dhe përmirësuar veten e tij nga shumë anomali dhe shumë gabime që bëri gjatë tërë vitit, duke iu drejtuar All-llahut të lartëmadhëruar për  mëshirë, falje të gabimeve dhe shpëtim nga dënimi i botës tjetër sepse kështu ishte thënja e profetit Muham-med s.a.w. Në fillimin e ditëve të para agjëruese All-llahu subhanehu ve teala na shiqonë me syrin e mëshirës. Nëse arrijmë  të na kaplonë mëshira e Tij e madhe atëherë edhe na falë. E nëse na falë, kemi fituar edhe  betejën e fundit, mbrojtjen dhe largimin nga zjarri i Xhehen-nemit. Thënë në gjuhën e sotme moderne  njeriu në këtë muaj duhet të bëjë ,, UPDATE’’ trupin dhe shpirtin e tij, ku do të ndjejë një freskim në vete, që pastaj edhe pas kalimit të këtij muaji të jetë në gjendje të mirë për të vazhduar punën dhe angazhimet e tija të përditshme. Ky është edhe qëllimi me agjërimin tonë. Tha Pejgamberi s.a.w. ,, Erdhi muaji i Ramazanit, muaji i begative ku All-llahu zbret mëshirën e Tij, fal mëkatet, pranon lutjet dhe shikon se si robërit e Tij garojnë në vepra të mira  dhe All-llahu mburret para melekëve . Prandaj veproni punë të mira, pasi i vuajtur është ai që nuk e përfshin mëshira e All-llahut’’.

Poashtu duke treguar vlerën e madhe që ka muaji i agjërimit, All-llahu i madhërishëm në një hadith kudsij tha: ,,Cdo vepër e birit të Ademit është për të, përvec agjërimit, i cili është për Mua dhe Unë e shpërblejë për atë. Prandaj nëse dikush nga ju agjëron mos të fletë fjalë të ulta, mos të ngrejë zërin dhe mos të bëjë mëkate! Nëse dikush e ofendon, le të thotë unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm. (Hadith-Kudsij). Nga ky hadith kudsij, shohim se All-llahu xh.sh nuk e përcaktoi shpërblimin për agjëruesin duke thënë p.sh. se do të ketë këtë apo atë shpërblim, por që e la sekret, me qëllim që besimtari të përkushtohet sa më shumë me tërë qenien e tij gjatë agjërimit, dhe duke e kujtuar shpërblimin e madh që Zoti me siguri do të ja jepë në botën tjetër e që ska dyshim se për të është përgatitur dicka e vecantë.

Gjithashtu me ardhjen e këtij musafiri të madh , Allahu xh.sh. do të ndihmojë besimtarin agjërues edhe me atë se do ta kufizojë veprimin e djajve të mallkuar në këtë muaj, që neve na duhet vetëm pak angazhim për të hecur shum sigurt dhe të mbrojtur, sepse hapsira e veprimit të djajve është e kufizuar dhe e ndërprerë për atë që dëshironë. Pejgamberi s.a.w. tha në një thënje të tij: ,,Kur vjen muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhen-netit dhe mbyllen dyert e Xhehen-nemit dhe djajtë prangosen’’.

Përmendi i dërguari i All-llahut, Muham-medi s.a.w. në hadithin e tij në lidhje me nderin dhe respektin që do t’u bëhet agjëruesvë në ditën e gjykimit,ku Zoti xh.sh. përgatiti një hyrjë special pë rata që agjëruan në këtë botë për hirë të All-llahu xh.sh. ku ai tha: ,,Në Xhen-net ndodhet një derë e cila e ka emrin Rej-jan, nëpër të cilën derë do të hyjnë vetëm agjëruesit, dhe nuk do të hyjë askush tjetër. Do tu thuhet: Ku janë agjëruesit? Ata do të ngriten dhe do të hyjnë mbrenda. Dhe kur të hyjnë të gjithë do të mbyllet dhe nuk do të hyjë më askush tjetër”.

Besimtarëve  Islam në përgjithësi iu dhanë shumë të mira në këtë  dhe në botën tjetër, por um-metit të Muham-medit s.a.w. iu dha dicka e vecantë, shih cka tha ai:  Um-metit tim i janë dhuruar pesë gjëra në muajin e Ramazanit të cilët nuk i janë dhënë asnjë të dërguari para meje:

  1. 1.      Natën e parë Zoti i madhëruar lëshon shiqimin e Tij mbi robërit besimtarë, dhe kënd e shiqonë Ai asnjëherë nuk e dënonë.
  2. 2.      Era e pakëndshme që del nga goja e tyre duke qenë agjërueshëm, tek All-llahu është më e kënshme se era e parfumit.
  3. 3.      Engjujt kërkojnë falje për ta natë e ditë.
  4. 4.      Zoti i madhëruar e urdhëronë Xhen-netin kështu: Përgatitu dhe zbukurohu për robërit e Mi sepse është afruar dita e pushimit të tyre në shtëpinë dhe zemërgjërësinë Time nga lodhjet e kësaj bote.
  5. 5.      Zoti i madhëruar i falë që të gjithë natën e fundit. Dikush e pyeti,a është kjo natë nata e kadrit? Ai u përgjigj: Jo, a nuk sheh se punëtorët kur i kryejnë punët e tyre i marrin shpërblimet (rrogat). (Bejhekij).

 

Cilat duhet të jenë objektivat tona në këtë muaj?

 

Jeta e një besimtari të mirë duhet të jetë gjithmonë e programuar, sepse Islami ja kërkon një gjë të tillë. Ne sot e shohim se ku kemi ngecur nga të tjerët kur e humbëm programin e jetës që na e kishte mësuar Islami. Sot shumë nga ne zgjohen dhe nuk dinë ku të shkojnë e cka të bëjnë dhe për këtë arsye edhe jeta e ka humbur kuptimin e saj. Njeriu besimtarë duhet ti nënshtrohet pikësëpari programit të caktuar nga All-llahu dhe pastaj edhe të përgatisë edhe planin e tij ditor që për’afërsishtë të ketë si të orientohet mbrenda ditës. Në vecanti të kesh një plan-program mujor për këtë Ramazan.

Ja një udhëzim i lehtë se si ta organizosh kohën tënde:

Fillo me namazin, mendoje se ku do ta falësh atë, në shtëpi apo në ndonjë xhami. Kujtoje vlerën qe ka namazi me xhemat dhe ai që falet i vetëm, për njëzet e shtatë gradë më i vlefshëm namazi me xhemat, gjithashtu bëje llogarinë  që edhe sa do përfitoshë sevabe shkaku i  ditës agjëruese. Nëse ke qenë nga ata që më parë ke lënë sun-netet pa falur, bashkoi edhe ata gjatë Ramazanit dhe vazhdoi edhe pasi të kalon ai. Nëse nuk ka qenë në praktikën tënde falja e ndonjë namazi vullnetar, mundohu të paktën gjatë këtij muaji ta bësh edhe atë. Leximi dhe mësimi i Kur’anit f.m.le të jetë prioritet në këtë muaj të shenjtë. Mundohu që cdo moment të mundshëm të hapësh Kur’anin dhe të lexosh pjesë nga fjalët e All-llahut f.p. Kështu do jeshë në kontakt dhe bisedë të drejtpërdrejtë me Krijuesin e gjithësisë. Pastaj mendo se sa shumë të mira do përfitosh nga leximi i verseteve Kur’anore, siq tha Pejgamberi s.a.w. në një hadith:  ,,Kush lexon një shkronjë nga libri i All-llahut, shpërblehet me dhjetë të mira’’. Vlera e tij do të rritet edhe më shumë pasi që je në muajin ku shumëfishohet cdo e mirë. Gjithashtu tha Pejgamberi s.a.w. ,,Lexuesit të Kur’anit do ti thuhet ditën e Gjykimit: Lexo dhe rrite pozitën tënde në Xhen-net. Rritja e pozitës do të ndalet në ajetin e fundit që do të lexosh ‘’.

Lëmosha zë një vend shumë të rëndësishëm në Islam e sidomos ajo vlerësohet edhe më shumë në muajin e bekuar të Ramazanit. Prandaj nëse ke qenë dorështrënguar më parë, bëje këtë ndryshim në këtë muaj dhe shtrije dorën për të gjithë ata që kane nevojë. Kështu ishte edhe mësuesi ynë Muham-medi s.a.w. i cili e shtonte lëmoshën e tij gjatë këtij muaji të bekuar. Një herë gjerisa po pritnin iftarin me bashkëshorten e tij Aishen r.a. dikush trokiti në derë dhe kërkoi lëmoshë. Pejgamberi s.a.w. ja dha njërën hurmë nga ato të pakta që i kishin në sofër. Dhe kështu veproi edhe me dy lipësit e tjerë, derisa h.Aisha r.a i tha: Po ne cdo të hamë tani? Ai tha: Na mjaftonë që kemi ujë. Një vecanti e këtij muaji është edhe falja e teravisë, namaz që bëhet vetëm në këtë muaj. Prandaj mundohu që me cdo kusht të jesh në xhami dhe të kryejsh edhe këtë namaz.

Islami i dha rëndësi të madhe ruajtjes dhe forcimit të mardhënjeve familjare dhe shoqërore. Mos të të gjejë ky Ramazan të hidhëruar me dikënd, hape zemrën tënde dhe mendo thellë për atë që bën. Nëse je në konflikt me dikënd shko i pari dhe kërkoi të zghidhni mosmarrveshjen. Këtë e don All-llahu xh.sh dhe këtë e porosit Muham-medi s.a.w. Tha i dërguari i All-llahut ,Muham-medi s.a.w: ,, Nuk hynë në  Xhen-net, një njeri që ka këputur lidhjet me të afërmit. Mëshira e All-llahut nuk zbret tek ata njerëz që kanë prerë lidhjet me të afërmit ‘’. Muaji i Ramazanit është edhe muaji i diturisë, pasi që në këtë muaji filloi të shpallet edhe Kur’ani f.m. Kjo është ndoshta edhe mundësia më e mirë që të kontribosh edhe ti për  të e ndihmuar dikënd që të kthehet rrugës së vërtetë të Islamit. Fillo nga të afërmit tuaj dhe duke e zgjeruar rrethin edhe më shumë në bazë të mundësisë që do të jepet. Bëhu ti shkaku që dikush nga ata të shpëtonë veten nga dënimi i botës tjetër.

Mbase je agjërueshëm, shfrytëzoje edhe mundësinë tjetër që të jepet ty si agjërues dhe bën dua-lutje tek Zoti i madhëruar. Lutu për veten, familjen, shoqërinë dhe për të gjithë njerëzit sepse lutja jote nuk kthehet mbrapa. Pejgamberi s.a.w. tha në lidhje me këtë: ,,Për agjëruesin është një lutje që nuk kthehet mbrapa’’ .

Poashtu transmeton Ebu Hurejre r.a se Pejgamberi s.a.w. ka thënë: ,,Tre personave u pranohen lutjet : Agjëruesit gjer në iftar, udhëheqësit të drejtë  dhe lutja të dëmtuarit. Këto lutje ngriten lartë, u hapen dyert e qiellit dhe Zoti f.p. u thotë : Pasha fuqinë Time, do tu ndihmojë,qoftë edhe pas një kohe ‘’ (Ahmedi dhe Tirmidhiu).

 

Disa kategori të njerëzve simëshirë ndaj tyre lirohen nga agjërimi

 

Me anë të agjërimit nuk është përqëllim lodhja dhe mundimi i njeriut, kjo nga fakti se All-llahu xh.sh. tregoi mëshirën e Tij të madhe duke i liruar disa kategori të njerëzve prej agjërimit, nga arsyeja siq janë sëmundjet, gratë shtatzane, gjidhënëset, puna e rëndë por edhe uria e tepërt. Enes ibën Maliku transmeton se Pejgamberi s.a.w. ka thënë: ,, Zoti i madhëruar ia ka shkurtuar namazin udhëtarit dhe ia ka lejuar prishjen e agjërimit. Ai gjithashtu ia ka mundësuar gruas gjidhënëse dhe asaj që është me barrë, most ë agjërojnë si mëshirë ndaj fëmijëve të tyre’’ .

Nga mëshira e Tij e madhe është edhe ajo që nëse njeriu gabon dhe e prishë agjërimin me harresë,mund të e vazhdojë dhe është gjithcka në rregull. Tha Pejgamberi s.a.w. në lidhje me këtë në një hadith : ,, Kush harron gjatë agjërimit, han ose pin, le ta vazhdojë agjërimin sepse Zoti e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë ‘’ (Buhariu dhe Muslimi).

Agjërimi ka edhe aspekte tjera që ndihmojnë përmirësimin e njeriut. Një nga këta aspekte është edhe ai shëndetsor, ku me anë të agjërimit ne pastrojmë organizmin tonë nga ngarkesat  me ushqime të tepruara  edhe jokualitative. Pejgamberi s.a.w. porositi që të agjërojmë për të përmirësuar shëndetin . Nga Ebu Hurejre r.a transmetohet se i dërguari i Zotit ka thënë:  ,,Agjëroni, shërohuni ’’.

Sot në mbarë botën janë paraqitur sëmundje të shumta si ato kardiake, të enëve të gjakut, diabeti etj. Poashtu Obeziteti është një shqetësim i madh tek shumë njerëz në botë dhe që po shkakton pastaj sëmundje të shumta nga ushqimi i tepërt dhe i pakontrolluar. Nuk është për tu habitur atë që e thonë shumë shkenctarë  se  në një të ardhme të afërt edhe mjekët bashkëkohor si terapi shumë efikase tua japin pacientëve të tyre Agjërimin.

Shiquar nga shumë kënde agjërimi vërtet është muaji i ndryshimeve pozitive të njeriut në cdo aspekt, si në atë individual dhe në atë shoqërorë. Njeriu tregon humanitetin dhe solidaritetin ndaj njerëzve me nevojë, duke ndarë dicka edhe për ta, e që në këtë muaj e karakterizonë sadakatul fitri dhe ndihmat tjera. Agjërimi t’i kujton të varfurit, sepse duke qenë vetë i uritur e kupton se si ata jetojnë cdo herë kështu,përndryshe po mos të ishte agjërimi si do ti dije hallet e tyre? Për atë besimtari dëshiron të arrijë shumë cka nuk e bëri para këtij muaji. Gjithashtu duke i kujtuar sukseset e shumta të muslimanëve dhe fitoret e tyrë që pikërisht në muajin Ramazan i arrtën, siq janë beteja e Bedrit, clirimi i Mek-kes, beteja e Kadisisë, hyrja e forcave në Andaluzi e shumë tjera ai vetëm se e përgatit veten më së miri. Poashtu ngjarja më e madhe që ndryshoi historinë njerëzore që ndodhi  mu në Ramazan, shpallja e Kur’anit f.m.në një natë të madhe si ajo  e Kadrit. Dhe duke u motivuar nga këto ngjarje e pret këtë muaj sic duhet me shpresë se do ja dalë mbarë.

Të motivohemi edhe më shumë me disa thënie të Muham-medit s.a.w. rreth agjërimit: Nga Seid El- Hudri r.a transmetohet se Pejgamberi s.a.w. ka thënë : ,, Kush agjëron një ditë për hirë të All-llahut xh.sh. fytyrën e tij ja largon All-llahu për shtatëdhjetë vite nga zjarri i Xhehen-nemit’’ Gjithashtu nga Ebi Umameh,r.a.transmetohet se i kërkova  Pejgamberit s.a.w. që të ma mësojë një punë të mirë, Ai më tha: ,, Agjëro,se agjërimi nuk ka shembull dhe as nuk ka peshojë që të masë shpërblimin e tij. Unë e përsërita pyetjen time tre herë, Ai ma ktheu përgjigjen e njejtë :Agjëro sepse agjërimi nuk ka shembull. (Nisaiu,ibni Huzejme dhe Hakimi).

Gjithashtu edhe prishja me qëllim e agjërimit nuk ka kompenzim për vlerën e tij,siq transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi s.a.w. tha: ,, Kush prishë një ditë të muajit Ramazan pa ndonjë arsye dhe pa ndonjë sëmundje,ajo ditë nuk kompenzohet edhe nëse agjëron tërë vitin ‘’. Poashtu na tregon Pejgamberi s.a.w. se: ,, Xhen-neti zbukurohet vit pas viti në muajin e Ramazanit. Kur hyn ky muaj, Xhen-neti I lutet Zotit : O Zot, bëj agjëruesit e këtij muaji banorët e mi. Kush e ruan veten e tij në këtë muaj dhe nuk pi alkohol,nuk shpif për dikë dhe nuk vepron vepra të liga,Zoti do ti japë për cdo natë një nga hyrytë e Xhe-netit dhe do ti ndërtohet në Xhen-net një pallat prej ari dhe argjenti dhe gurë të cmuar. Sikur e gjithë bota të mblidhej dhe të vendosej në këtë pallatë do të zinte vend aq sa zen një dhi në gjithësi ‘’.

,,Kush agjëron me besim dhe shpresë se do ti falen mëkatet, do ti falen të gjitha mëkatet që ka vepruar ‘’.

Ramazani dhe Kur’ani do të jenë ndërmjetsues për ty në ditën e Gjykimit siq na tregon Pejgamberi s.a.w. se : “Në ditën e llogaritjes së veprave tona Kur’ani dhe Agjërimi do të ndërmjetësojnë për njeriun. Do të thotë Agjërimi : O Zot, unë i kam ndaluar ushqimin dhe kënaqësitë gjatë ditës. Kur’ani do të thotë: I kam ndaluar gjumin natën, prandaj na mundëso që të jemi ndërmjetësuses për të ‘’.

 

 

Menderez Alili, Imam

Xhamia “BASHKIMI” Linz

05.06.2016

You can leave a response, or trackback from your own site.

Leave a Reply