Islami dhe muslimanët në Austri

 

Mr. Muhidin Ahmeti

 

Islami dhe muslimanët në Austri

Austria është një vend i Evropës qendrore që pati nderin ndër të parët në Evropë të takohet me muslimanët dhe besimin e tyre. Okupimi i Bosnjës dhe Hercegovinës, e para kësaj edhe lufta me Osmanlinjtë, e bënë këtë vend njohësin më të mirë të islamit dhe muslimanëve në këtë kontinent.

Islami është i njohur zyrtarisht në Austri dhe konsiderohet  si feja e dytë në vend, pas katolicizmit. Në mesin e popullsisë austriake prej 8 milionësh, gjysmë milion muslimanë gëzojnë të drejtat ligjore dhe privilegje të pakrahasueshme me ato të ofruara ndonjëherë popullsisë së madhe myslimane në vendet tjera perëndimore.

Një arsye për këtë është periudha e gjatë e ndërveprimit në mes të Austrisë dhe  Islamit, duke u shtrirë në histori që nga viti 1525 kur osmanët u përpoqën të pushtonin perandorinë austriake. Edhe pse këto orvatje dështuan, ato lanë  gjurmët e veta në kulturën austriake  dhe si rezultat  i kësaj shumë austriakë pranuan fenë islame. Emigracioni i vazhdueshëm i muslimanëve nga Turqia dhe Evropa Lindore në perandorinë austriake u rrit pas konferencës së Berlinit  të vitit 1878. Të ardhurit e rinj u mirëpritën nga autoritetet e vendit, duke u lejuar atyre praktikimin riteve fetare. Një ligj i lëshuar në vitin 1867, i cili  garanton respektimin e të gjitha feve në të gjithë perandorinë, u dha  myslimanëve  të drejta për themelimin e xhamive dhe praktikimin e fesë së tyre. Xhamia e parë në vend  është ndërtuar në Vjenë në vitin 1878 me ndihmën e qeverisë  që të jetë në shërbim të muslimanëve  të rekrutuar në ushtrinë austriake. Pas luftës së dytë botërore, filluan valët e reja të emigrantëve muslimanë, kryesisht  fuqi punëtore e kualifikuar e tërhequr për të punuar në përpjekjet për rindërtimin e vendit. Më tej pasuan emigrimet si pasojë e bumit ekonomik që ndodhi në Evropën Perëndimore gjatë viteve 1970 dhe shpërbërja e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, që shkaktoi valën e fundit masive të emigrantëve muslimanë nga ish-Jugosllavia. Muslimanët arabë, ndërkohë, shtuan një dimension të ri demografik të popullsisë muslimane në Austri. Fillimi i vërtetë i legalizimit të të drejtave të muslimanëve në Austri ka qenë në vitin 1908, kur qeveria propozoi një projekt-ligj për të njohur Islamin si  fe zyrtare. Ky ligj i Islamit (Islamgesetz), do të bëhet i njohur pas miratimit të tij  në  vitin 1912, i cili u dha muslimanëve të drejta dhe privilegje të ndryshme, duke përfshirë të drejtën për organizimin dhe menaxhimin e pavarur të çështjeve të tyre të komunitetit dhe atë përmes këshillave komunale dhe për krijimin e fondeve të ndryshme islamike humanitare. Këto të drejta dhe privilegje do të zgjerohen  me nënshkrimin e marrëveshjes së Saint-Germain të vitit 1919, në të cilën qeveria austriake u zotua për mbrojtjen e minoriteteve dhe afirmimin e të drejtës së çdo qytetari për të marrë përsipër pozita të rëndësishme kombëtare, pavarësisht nga feja apo origjina etnike..

Njohja e Islamit si komunitet fetar

Në Austri zyrtarisht janë të njohura dymbëdhjetë religjione dhe bashkësi religjioze. Njoha ligjore do të thotë që Kisha apo bashkësia fetare bëhet person juridik, që do të thotë fiton statusin e “bashkësisë me të drejtën  e veprimtarisë publike”. Njohja zyrtare nga ana e shtetit bëhet në bazë të një kërkese që duhet drejtuar Ministrisë së  arsimit dhe kulturës për njohje. Pas plotësimit të parakushteve, bashkësisë fetare i njihet statusi, sipas të cilit bashkësia realizon përparësi dhe privilegje të caktuara, për të cilat merr  garanci dhe ndihmë nga shteti. Por njoha ligjore e bashkësive fetare sjell edhe disa të drejta dhe privilegje, siç janë për shembull organizimi i mësimit fetar dhe financimi i tij nga ana e organeve shtetërore, lirimi nga obligimi i pagesës së taksave për tokën, e drejta e caktimit të shërbyeseve  fetar në ushtri, burgje  dhe spitale etj.

Austria mund të jetë shembull për vendet evropiane për qëndrimin e saj ndaj islamit dhe muslimanëve me aktin e njohjes së islamit që nga viti 1912 dhe me sjelljen e “Ligjit islam”, i cili mund t’i shërbejë Evropës së sotme për zgjidhjen e çështjes myslimane.

“Marrëdhëniet në mes të shtetit dhe fesë në Austri janë të rregulluara nga një mori bazash  ligjore të cilat parimisht garantojnë lirinë e besimit dhe të ndërgjegjes, lirinë individuale të manifestimit dhe ushtrimit të fesë.  Si të gjitha 12 (aktualisht 15) Kishat dhe Bashkësitë fetare ekzistuese sot në Austri, të njohura me ligj,  po ashtu edhe njohja e Islamit është e bazuar në Ligjin themelor të shtetit që nga viti 1867 dhe me “Aktin e njohjes” të vitit 1874. (…). Ndërsa “Ligji i islamit”  i datës 15 Korrik të vitit 1912 ishte një parakusht i mëtejshëm për krijimin e Bashkësisë Islame në Austri (IGGÖ), përkatësisht  për njohjen e saj si një institucion publik.[...][1]

Përmbajtja e ligjit për fenë islame është në përputhje me standardet bashkëkohore të sistemit sovran të Kishës shtetërore. Përmes këtij ligji myslimanët fituan këto të drejta: të drejtën për të ushtruar fenë bashkërisht dhe publikisht, garancitë themelore për pronën dhe administrimin e organizatave dhe Institucioneve për kulturë, arsim,fondeve apo shoqatave bamirëse si dhe të drejtën për barazi ligjore me konfesionin më të madh krishterë të Perandorisë qoftë në  ndërrimin e fesë apo edukimin fetarë të fëmijëve.

Sipas këtij ligji, mësimet islame, institucionet  dhe objektet e saj, gëzojnë mbrojtje ligjore për aq sa ato nuk janë në kundërshtim me ligjet e shtetit.

Në “ligjin islam austriak”, të cilin e ka nënshkruar mbreti Franjo Josip qartë thuhet që Bashkësia islame është institucion me të drejtat e barabarta me të gjitha bashkësitë tjera fetare dhe me kishat, si dhe gëzon mbrojtje të plotë juridike të vlerave të saj fetare, kulturore dhe materiale.

Bashkësia islame e Austrisë  

Bashkësia islame e Austrisë është një organizatë kupolë dhe përfaqësuese zyrtare e muslimanëve në një vend Evropian, e cila merr pjesë aktive në çdo segment të jetës publike, politike dhe kulturore. Si një nga fushat më të rëndësishme të punës përfaqësuesit e Bashkësisë e definojnë edukimin e brezit të ri.

Kështu në Wien që para nëntë viteve është themeluar gjimnazi i  parë islam. Aty ndjekin mësimin 360 nxënës me origjinë nga 15 vende, ndërsa në kuadër të shkollës gjendet edhe hapësira ku nxënësit mund ta falin namazin.

Lindjes së të a. q. islami evropian në Austri, përveç gjimnazit islam në vitet e fundit i kontribuon edhe Akademia pedagogjike islame. Ajo tashmë i ka dhënë pesë gjeneratat e para të mësuesve të fesë, të cilët sot ligjërojnë si në Gjimnazin islam, po ashtu edhe në të gjitha shkollat tjera publike në tërë Austrinë, në të cilat mësojnë nxënësit e konfesionit islam.

Projekti i ardhshëm i Bashkësisë islame, e cili duhet të çojë në krijimin kushteve më të mira të Islamit në Evropë është projekti i predikimit islam në spitalet austriake. Kështu, përfaqësuesit e Bashkësisë islame -  imamët dhe motrat medicinare – tashmë kanë filluar organizimin e vizitave të pacientëve te fesë islame. Po ashtu, kohet e fundit po krijohen faltoret e përbashkëta ndërfetare nëpër spitalet e qyteteve të mëdha të Austrisë për zbatimin praktik të riteve fetare.

Bashkësia fetare islame, është një organ i së drejtës publike dhe përfaqësues zyrtare e islamit në Austri. Kushtetuta e re e B. Fetare islame ka hyrë në fuqi më 22 tetor 2009. Sipas Nenit 1 (1) B.F.I.A. është një Komunitet fetar i njohur me ligj për të gjithë ndjekësit e islamit (Reggullorja 1988§ 1), selia qendrore e së cilës është në Republikën e Austrisë. Neni 1 (5) i Kushtetutës më tej parasheh se të gjithë muslimanët që jetojnë në Austri, pa dallim nga gjinia, prejardhja etnike, shkolla juridike fetare dhe kombësia janë pjesë e BFIA -së. BFIA-së  nga aspekti regjional është e ndarë në bashkësi të veçanta fetare islame (Myftini – IRGn). Anëtarët e bashkësisë fetare islame janë njëkohësisht edhe anëtarë të BFIA -së. Ruajtja e praktikës fetare në mesin e pasuesve të islamit është objektivi qendror i BFIA -sëdhe  atë në bazë të nenit 3 të Kushtetutës së Bashkësisë fetare islame në Austri (VIG).

Si rezultat i njohjes ligjore[2]të islamit në Austri, burojnë disa avantazhe praktike që lidhen me të. Ato janë:

-  e drejta e manifestimit të lirë dhe publik të besimit fetar,

-  autonomia e brendshme e Bashkësisë Fetare Islame,

- mësimi-besimi në shkolla (organizimi, trajnimi i mësuesve, emërtimi i tyre, përgatitja e kurrikulit etj.)

-  Qendra e shërbimit për çështjet muslimane

- Menaxhimin e një varreze myslimane në Vjenë dhe krijimi i varrezave myslimane në qytete të ndryshme të Austrisë

- Vizitat dhe shërbimet sociale në spitale dhe në burgje.[3]

- marrja parasysh e përkatësisë fetare në ushtri etj.[4]

- mbartja e shamisë (hixhabit) nëpër të gjitha institucionet shtetërore të Austrisë etj.

            Unioni i shqiptarëve musliman të Austrisë

 

Si pjesë e rëndësishme integrale e shoqërisë multietnike dhe multireligjioze austriake është edhe elementi i diasporës shqiptare. Edhe shqiptarët sikur popujt tjerë, në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për t’u integruar në shoqëri austriake,  themeluan organizata, shoqata dhe institucione të ndryshme për t’i dalë në ndihmë popullatës shqiptare në ruajtjen e traditës, gjuhës dhe identiteti të tyre kombëtar e fetar. Si rezultat i këtyre intencave shqiptarët nuk mjaftuan vetëm me krijimin e shoqatave lokale, por ata realizuan edhe forma të tjera më të përhapura dhe  më  të zgjeruara të angazhimit shoqëror. Kështu, një pjesë e shqiptarëve të Austrisë arritën të krijojnë një organizatë kupolë, e cila do t’i bashkonte shqiptarët nga të gjitha trojet etnike, përkatësisht do të krijonte lidhjen e  xhematëve shqiptare apo të qendrave shqiptare islamike. Aktualisht ekzistojnë 12 xhematë shqiptare të shpërndara në qytetet e ndryshme të Austrisë.  Që të gjitha këto qendra janë bërë pjesë e një strukture të përbashkët me emrin ”Unioni i shqiptarëve muslimanë” në Austri, i cili u themelua në vitin 2006 dhe i cili vazhdon veprimtarinë  e tij edhe sot si një institucion i pavarur që u themelua për t’i artikuluar interesat e diasporës  shqiptare në Austri.

Ndër aktivitetet më kryesore që ia vlen t’i përmendim janë ato që organizohen gjatë muajit të Ramazanit duke aplikuar metodën e këmbimit të imamëve nëpër xhematët dhe xhamitë e qyteteve të ndryshme të Austrisë.  Organizimi i  tribunave dhe aktiviteteve tjera që zhvillohen me rastin e manifestimeve të ndryshme fetare dhe kulturore.

Unioni  i shqiptarëve mysliman, në bashkëpunim më organizatën e njohur turke “Milligürush”,  çdo vit bën organizimin e haxhit për haxhinjtë shqiptarë nga të gjitha trojet. Vitin e kaluar numri i haxhinjëve shqiptarë  ka qenë 52 veta nga të gjitha trojet shqiptare.

Në fushën e aktivitetit humanitar Unioni i shqiptarëve muslimanë të Austrisë, kohë pas kohe organizon aksione humanitare  për t’u dalë në ndihëm njerëzve të cilët goditën nga fatkeqësi të ndryshme, qofshin natyrore apo të shkaktuara nga dora njerëzore. Në këtë rast mund të përmendim Shkodrën e cila u ndihmua me 8000 €  në ndihëm të popullatës që pësoi nga fatkeqësia e vërshimit. Pakistanin me 18000 € me rastin e tërmetit që ndodhi atje. Somalinë me 10.000 për t’i ndihmuar fëmijët, të cilët po vdisnin nga uria dhe etja për shkak të thatësisë së madhe që zotëron atje etj.

 

            Në vend të përmbylljes

 

Qëndrimi i moderuar dhe i hapur i muslimanëve në Austri ka ndërtuar një formë të veprimit pozitiv të përbashkët me tërë shoqërinë. Në vend të injorimit dhe getoizimit, kultura e dialogut mundëson ndërtimin e urave, të cilat në mënyrë objektive trajtojnë tema me rëndësi të përgjithshme. Pasojat negative – të cilat do t’i sillte izolimi në formën e një shoqërie paralele – muslimanët e Austrisë i kanë kuptuar  me kohë dhe në këtë mënyrë e hedhin poshtë çdo lloj segregacioni. Në pajtim me këtë lindi edhe motoja e B.islame dhe myslimaneve të Austrisë e cila thotë: “Integrimi nëpërmjet participimit”. Participimi përfshin  sferën shoqërore, kulturore, politike dhe ekonomike. Siguria e vendit do të thotë edhe siguria e popullatës myslimane. Mirëqenia dhe lëvizja e suksesshme përpara duhet të zhvillohen si një obligim i përbashkët përmes pjesëmarrjes personale dhe në pajtim me kushtetutën e vendit.

 

Krejt në fund nuk mund të rri pa e theksuar se kjo ishte një përpjekje e imja modeste lidhur me historinë e islamit dhe të muslimanëve në Austri. Fillimisht kjo u trajtua shkurtimisht si hyrje e referatit të mbajtur në  konferencën ndërkombëtare rreth mësimit fetar në shkollat publike të Kosovës që u organizua vitin e kaluar në Prishtinë nga Bashkësia islame.  Pastaj e zgjerova pak dhe tani po e botoj duke qenë i vetëdijshëm se ka nevojë për një trajtim më serioz dhe shkencor. Mbetet në të ardhëm që të merret dikush me këtë temë më seriozisht  dhe ta trajtojë atë më gjerësisht me qëllim që ta kemi një pasqyrë më të plotë të  islamit dhe muslimanëve në Austri dhe më gjerë.

 

 

Referencat                                                                                                                                            

  1. Adnan Aslan, Religiöse Erziehung der muslimischen Kinder ind Deutschland und Österreich, Stuttgart, 1998.
  2. Kalb/Potz/ Schinkele, Religionsrecht, Wien, 2003.
  3. Ednan Aslan, Islamische  Erziehung in Europa (Islamic Education in Europe),
  4. Österreichische Imam-Konferenz – Aktivitäten der Islamischen Galubensgemeinschaft in Österreich, Wien, 2006
  5. Islam in Europe, Europäische Islam –Konferenecen der Islamischen Glaubensgemeinschaft  in Österreich, Wien, 2006
  6. www.wapedia.mobi/hr/Obrazovanje_u_Austriji?t=5.
  7. www.euro-islam.info
  8. www.islamawareness.net/Europe/Austria/early.html
  9. www.bs.wikipedia.org
  10. www.integrationsfonds.at/
  11. www.islaminitiative.at 

 



[1]. Kroissenbrunner 2003, f. 378, nga: cf Balic 1995, f. 28; Potz. 1993: f. 135-146

[2] Njohja ligjore e islamit nuk do të thotë edhe akceptim i popullatës së gjerë austriake.

[3]Në burgun austriak punojnë 38 shërbyes myslimane dhe atë  në Republikat e mëposhtme (shih: Ministria Federale e Drejtësisë, Pyetje dhe përgjigje 2008/04/30):

Sektori social: promovon vizitat e muslimanëve dhe shërbimet sociale në spitale të veçanta, shërbimin fetar për përmirësimin e stabilitetit psikik dhe ekuilibrit mendor dhe ndërtimin e urave në funksion të personelit,  ndërtimin e projekteve për  azilkërkuesit, shpesh në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Caritas-in dhe Diakonia, projektet e caktuara, të tilla si ndihma pas fatkeqësive me rastin e përmbytjeve apo zgjidhjen e problemit të pastrehëve.

4. Ndërsa pjesëmarrësit e parakalimit ushtrojnë përshëndetjen me breshëri, në ndërtesën e pjesës jugore të kazermës, një pjesë tjetër e regjimentit përgatitet për lutje. Doktori dhe oficeri i Garnizonit Atila Kelçu, shpjegon për se bëhet fjalë. “Nga përvoja e dimë që besimtarët janë ushtarë më të besueshëm”, shpjegon Atila. “Prandaj, ka qenë e rëndësishme për ne që edhe ushtarët e konfesionit islam të kenë një hapësirë në të cilën do të kenë mundësi të falin namazin.” (Xhamia në kazermën ushtarake Maria Theresia në Vjenë)

 

 

 

 

You can leave a response, or trackback from your own site.

Leave a Reply